Tanket izraelite kanë përparuar gjithnjë e më shumë në Jabalia në Gazën veriore ku forcat izraelite kanë shënjestruar ndërtesat e banimit dhe ambulancat. Si pasojë e luftimeve të ashpra pesë ushtarë izraelite kanë mbetur të vrarë si pasojë e një sulmi në kampin e refugjatëve Jabalia ku ishin mbledhur trupat. Shtatë të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa vdekjet e ushtarëve të vrarë u rritën në 278 që nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza.

Dhjetëra mijëra civilë janë larguar nga Jabalia që nga e shtuna e kaluar. Luftimet e ashpra po vazhdojnë edhe rreth qytetit jugor të Rafahut. OKB thotë se pothuajse 600,000 njerëz që janë strehuar janë zhvendosur që nga fillimi i një operacioni tokësor izraelit në periferi lindore të qytetit 9 ditë më parë, duke përfshirë 150,000 njerëz në 48 orët e fundit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka shprehur zhgënjimin e hapur për dështimin e qeverisë për të adresuar çështjen e një plani të pasluftës për Gazën. Në një deklaratë të rrallë publike mbi drejtimin e fushatës ushtarake brenda kabinetit të luftës të Izraelit, Gallant i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të deklarojë publikisht se Izraeli nuk ka plane për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në Gaza. Pavendosmëria e Netanyahut sipas Gallant mund të çojë edhe në një dështim për të liruar pengjet.

Me tanket që tani po përparojnë në zonat e ndërtuara dhe pikat kufitare të mbyllura furnizimet dhe shërbimet mjekësore po pakësohen. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kërkoi rihapjen e dy kalimeve Rafah dhe Kerem Shalom për të siguruar që ndihma humanitare të hynte në Gazën jugore.
Nga ana tjetër ushtria amerikane përfundoi ndërtimin e një skele lundruese për Rripin e Gazës ku autoritetet atje do të nisin transportin e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në enklavën e rrethuar gjatë shtatë muajve të luftimeve intensive. Rruga detare është projektuar për të rritur sasinë e ndihmës që hyn në Rripin e Gazës, por nuk konsiderohet si një zëvendësim për dërgesat tokësore, që agjencitë e ndihmës thonë se janë shumë më të qëndrueshme.

Klan News