Skandali i publikimit një ditë më parë në Televizionin Klan për shitjen e qumështit me kimikate në tregjet dhe rrugët e qytetit të Lushnjës, ka detyruar policinë bashkiake dhe inspektoratin e higjienës të ndërmarrë një aksion, për heqjen nga qarkullimi të këtij produkti. Qindra litra qumësht janë sekuestruar dhe janë derdhur nga policia, e cila ka marrë shkas nga kronika e transmetuar një ditë më parë në Televizionin Klan.

Avni Agaçi: “Marr shkas edhe nga kronika e Televizionit Klan mbi produktin e qumështit që tregtohet në rrugë dhe që nga analizat e qendrës epidemiologjike ka konstatuar kimikate, koservante për të mos prishur. Duke filluar nga dita e sotme, çdo produkt që tregtohet në rrugë do të sekuestrohet, do asgjësohet”.

Veprimi i tyre ka hasur në kundërshtimin e blegtorëve dhe fshatarëve të cilët janë shprehur të irrituar me moslejimin e tregtimit të qumështit.

“Kanë ardh kanë marrë qumështin pa pa njeri kush e ka marrë qumështin, veç unë duke çu qumështin tjetërkund. Kanë ardh kanë marrë qumështin, nuk di gjo se ka ka shku qumështi. Ku është qumështi?”

“S’na ka ardh njeri të na njoftojë përpara që mos dilni në rrugët. Ne ku do vemë. Unë jam e sëmurë me ato ushqehem”.

Qumështi i cili shitet në bidona plastik dhe jashtë standardeve të sigurisë ushqimore nga analizat e bëra ka rezultuar se ne përbërjen e tij ka patur një substancë kimike, që i zgjat kohën e skadencës. Ky nuk është rasti i vetëm kur produktet blegtorale shiten në kushte të pa papërshtatshme dhe bëhen një rrezik evident për shëndetin e konsumatorëve./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa