Qumështi mund të konsumohet edhe një rastin kur i ka kaluar data e skadencës, kjo fal një konservuesi kimik që blegtorët në Lushnje hedhin në bidonat e shitjes së këtij produkti. Skandali në fjalë ka dal në dritë pas ankesave të disa qytetarëve në Drejtorinë e Shërbimit të Higjienës në këtë qytet. Nga analizat e bëra rezultoi se qumështi i tregtuar në bidona plastik ka patur në përmbajtjen një preparat kimik, i cili i jep atij ngjyrën blu dhe zgjat kohën e skadencës.

Isuf Çela: “Kemi gjetur qumësht me konservat që e ruan prishjen, por në fakt ka lëndë kimike brenda që është shumë i dëmshëm. Kemi kapur raste të tilla. Ne e kemi bërë problem, është thënë disa herë… Nuk e kemi ne në juridiksion për ta kontrolluar më tepër është policia bashkiake, Drejtoria e Bujqësisë këto”.

Përveç këtij skandali që ka vënë seriozisht në rrezik jetën e konsumatorëve, kushtet e tregtimit të produkteve blegtorale në këtë qytet janë jashtë të gjitha standardeve dhe parametrave të sigurisë ushqimore. Qumështi, djathi dhe mishi vazhdojnë të shiten në ambiente të hapura dhe me një ambalazh të pa përshtatshëm.

“Jena të detyrumë se kena kalamajt, s’kena as përkrahje, as s’kena ndihmë prej shtetit, as prej kurrkujt. Jena bërrnut. Nuk ja vlen fare me majtë lopë, as me majtë dele, as dhi, as sen me këtë tokë”.

“E kemi shumë frikë dhe detyrohemi ta marrim, sepse s’kemi si ushqehemi”.

“Për gjeri sa unë e vaksinoj lopën ose ha vetë, kur i thonë asaj jam i sigurt që dhe kur të më kapi tjetri, prapë jam i sigurt me anën e qumështit, se e vaksinoj lopën”.

Nisma e bashkisë së Lushnjës për të ndaluar shitjen e produkteve blegtorale në  rrugë, ka dështuar tërësisht. Ndërkohë që duket se situata i ka dalë jashtë kontrollit edhe Ministrisë së Bujqësisë, duke bërë që me rritjen e temperaturave të rritet edhe rreziku i epidemive dhe sëmundjeve me prejardhje shtazore./tvklan.al

Gazetare: Anila Stefa