“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk mund të realizohet pa u miratuar më parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.”

Me këtë gjuhë të drejtpërdrejtë, pa nota diplomatike, tre liderët kryesorë të BE-së, kancelari gjerman Olaf Sholz, presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni, refuzojnë nëpërmjet një letre, të siguruar nga Televizioni Klan, një propozim të Kurtit për Asociacionin dhe për hapat për anëtarësimin në KiE.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociaionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim xhentëlmeni”. Është një model.”

Tre liderët e BE-së, i kujtojnë Kurtit se drafti i të dërguarit të posaçëm, Mirosllav Lajçak, është një model i qëndrueshëm, i cili duhet implementuar.  

“Projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim xhentëlmeni”. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve Europianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Europë. Ai merr në konsideratë të gjitha vijat tuaja të kuqe dhe kornizën kushtetuese të Kosovës. Si i tillë ai gëzon mbështetjën tonë të plotë. Po e theksojmë edhe njëherë se ne nuk duam një Kosovë jo funksionale dhe se Asociacioni nuk mund të krahasohet aspak me Republikën Sërpska.”

Sholz, Macron e Meloni shprehin hapur rezerva edhe për nismën e Kurtit për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave, duke e cilësuar as të përshtatshëm dhe as të zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna.

“Propozimi juaj për të përgatitur një draft të ri në konsultim me Kryebashkiakët apo Zëvendësit nuk është as i përshtatshëm, as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna. Zoti Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real, që, pa progres vendimtar të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke rienergjizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”

Në letër theksohet se dorëzimi i draftit tek ekspertët e Këshillit të Europës nuk është zgjidhje, duke i sugjeruar që draftin Kurti ta dorëzojë për vlerësim te Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Për këto arsye, tre liderët e BE i thonë hapur Kurtit se topi është në fushën e tij.

“Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj. Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj.”

Më herët, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla kishte njoftuar KiE se do ta dërgonte draftin e Asociacionit në Kushtetuese, por ambasada gjermane e cilësoi të vonuar. Kosova mori dritën jeshile nga asambleja parlamentare e KIE-s për t’u anëtarësuar. Ndërsa hapi i fundit i takonte Këshillit të Ministrave të këtij organizmi. Por pikërisht mosplotësimi i kushtit nga Kurti, ka bërë që kjo çështje të mbetet pezull e të mos jetë në rendin e ditës për t’u shqyrtuar.

Tv Klan