Albin Kurti i zuri sërish faqet e para të medias ndërkombëtare, por kësaj here jo për veprime të pakoordinuara me ndërkombëtaret në veri të vendit.

Ai u bë lajm për shkak të gafës në zgjidhjen e një ushtrimi të thjeshtë matematikor gjatë inaugurimit të shkollës fillore “Ali Hadri” në Podujevë.

Përfundimi i Kurtit në këtë ekuacion nuk është 5 sa e nxorri ai, por zero. Gazeta prestigjioze “Politico” i kushtoi një artikull duke e përshkruar atë si “incident algjebre”.

Gabimin e tij e vunë re menjëherë shumë ndjekës, të cilët e korrigjuan.

“Politico” thekson se kryeministri i Kosovës, që është diplomuar për Elektronikë në Universitetin e Prishtinës, kërkoi falje në faqen e tij në Facebook pas komenteve, duke thënë se ishte i gëzuar që në atë moment nuk ishte nxënës i shkollës, pasi nuk do të kishte mundur të merrte notë kaluese.

Gafa përveçse u bë lajm ndërkombëtar nuk ka pasoja të tjera, por komentuesit në rrjetet sociale po ngrenë pyetje nëse kryeministri i Kosovës i zgjidh në këtë mënyrë edhe problemet në qeveri.

Tv Klan