Është një problem i trajtuar ndër vite në dhjetëra kronika televizive në Televizionin Klan, por asgjë nuk ndryshon.

Ranishtja e plazhit të Durrësit vazhdon të mbetet një pistë për autoshkolla e gara makinash.

Pothuajse i gjithë brezi i rërës, nga Ura e Dajlanit deri në Golem, popullohet nga dhjetëra e dhjetëra automjete, të cilat në të shumtën e rasteve përdoren nga të rinj që duan të praktikojnë drejtimin e makinës.

E përderisa bëhet fjalë për persona të pacertifikuar, rrezikshmëria nuk ka nevoje për koment kur dihet se ky plazh është i populluar në çdo kohë nga pushues e njerëz që e mendojnë atë si oaz të qetësisë.

“Plazhi në rërë ku të gjithë njerëzit vijnë të pushojnë nuk duhet të lëvizin makinat në mënyrë absolute.”

“S’duhet lejuar asnjë makinë që të kalojë këtu në bregdet”.

“Krijimi i një ambienti të qetë për të shëtit është normale, jo vetëm për kalamajt, por dhe për ne jep shqetësim makina kur kalon aty.”

Vetëm përpara disa javësh një 12-vjeçar u aksidentua nga një automjet teksa po luante në ranishte.

Statistikat flasin për aksidente të këtij lloji çdo vit. Përpjekjet e autoriteteve nuk arrijnë ta frenojnë fenomenin. Jo në pak raste, drejtues automjetesh e kthejnë këtë vend edhe në pistë garash e platformë spektaklesh.

Drejtuesit e institucioneve vendore u takuan në një mbledhje urgjente ku vendosën bllokimin e hyrjes së mjeteve në brezin e rërës, si dhe pajisjen e zonës me sinjalistikën e nevojshme, por këto masa nuk janë zbatuar.

Hyrja për në ranishte është e lirë, sinjalistika mungon dhe automjetet vazhdojnë të lëvizin lirisht në tokën e askujt, duke sfiduar rregullore dhe kontrollet e policisë, si dhe duke u kthyer në rrezikun e gjithkujt që zgjedh këtë plazh për të pushuar.

“Policia duhet të marrë masat dhe unë jo më pak sesa një javë përpara kam biseduar me policinë për këtë problem. Edhe megjithatë sot vihet që përsëri mjetet janë në lëvizje.”

Përballë këtij fenomeni që ndodh ndoshta në të vetmin vend anëtar të NATO-s, mungesa e ndërgjegjes qytetare kërkon një reagim më të ashpër të autoriteteve, por këta të fundit duket se vihen në lëvizje vetëm sa për t’u hequr vëmendjen nga ky shqetësim sa herë që ka ndonjë kronikë televizive apo reagim qytetar, çka fare thjeshte, do të përkthehej në mashtrim dhe manipulim të të gjithëve./tvklan.al