Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, u paraqit po ashtu në ambientet e SPAK për t’u njohur me akuzën në lidhje me çështjen e kompleksit “Partizani”. Në hyrje të prokurorisë së posaçme, Malltezi pati një prononcim për mediat ku hodhi akuza ndaj SPAK.
Ai u shpreh se nuk pret ndonjë gjë të re nga SPAK dhe se do të përballet kundër akuzave, të cilat i konsideron politike dhe pa prova. Kujtojmë se për privatizimin e kompleksit “Partizani”, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
“SPAK ka krijuar një piramidë mashtrimi, ka fshehur dhe gënjyer me dokumente zyrtare. Gënjeu kur tha që procesin e privatizimit e nisi qeverisja e PD, kur kemi shkresat e Anastas Angjelit dhe Blendi Klosit që shpreheshin për privatizim. Së dyti gënjyen duke thënë sikur ishte pjesë e planit të përhapjes kur vetë hetuesit e përzgjedhur nga PS në SPAK kishin shkuar dhe vërtetuar që nuk janë pjesë e planit të përhapjes në 2004. Gënjyen kur shkuan dhe thanë që Berisha ndryshoi destinacionin e tokës, kur destinacionin e kishin ndërruar Edi Rama me drejtorët e tij pa kërkesë fare të palës pronare.
Jemi në institucionin afërmendsh të Edi Ramës. Institucion ku ka emëruar patronazhistë. Afërmendsh nuk presim ndonjë gjë të re. Afërmendsh do të përballemi sepse është i njëjti pushtet si në ’45 ku arrestonte nacionalistët për hir të internacionalizmit proletar”, tha Malltezi.
Ndërkohë më herët, SPAK i komunikoi akuzën edhe Sali Berishës duke e marrë të pandehur. Akuza penale e ngritur ndaj tij është “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim”, të cilën Berisha e konsideron si “hakmarrje politike të Ramës”. /tvklan.al