Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka uruar aktoren Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, e cila festoi 90-vjetorin e lindjes.

Ministri, Blendi Gonxhja: E di dhe më mirë se çdo personazhi të saj ajo i ka dhënë aq shumë nga vetja duke përcjellë me rolet e saj urtësinë, qetësinë, dhembshurinë, klasin, finesën e saj.

Vlerësime për Margaritën kanë dhënë edhe koleget e saj.

Tinka Kurti, aktore: Po kur sheh Margaritën dorëzohesh. Ajo është ylli i botës, ylli i skenës, ylli i jetës. Edhe për shoqërinë edhe për skenën.

Rajmonda Bulku, aktore: Do t’i uroja që deri në frymën e fundit të kishte role të tilla të mëdha sepse e meriton dhe është një aktore e jashtëzakonshme.

Elia Zaharia, aktore: Unë e konsideroj veten me fat Margaritë që kam pasur bashkëpunime me ty sepse vetëm të qenurit pranë teje për mua është shkollë. Disiplina dhe përkushtimi që ti ke në punë, dashuria dhe mbështetja që iu jep brezit të ri…

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore.

Margarita Xhepa, aktore: Aktori krijon një emër, lë një vlerë sepse arti zoti ministër ka atë të veçantën e mirë që emancipon shoqërinë.

Në vitin 2007 asaj iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Margarita Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Margarita Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.

Klan News