Fluturimi dhe misioni interforcë mbi Lazarat ka qenë i jashtëligjshëm. Patrullimit të forcave të policisë italiane dhe dhënia e asistencës me mjetet e tyre në Shqipëri i ka mbaruar mandati. Marrëveshja e lidhur mes dy vendeve për luftën kundër kriminalitetit ka skaduar në fund të vitit që shkoi. 7 muaj që interfocë vepron pa një ripërtëritje të mandatit. Neni 2 i kësaj marrëveshje, lidhur në 13 nëntor 2002, thotë se ‘për të siguruar një luftë më efikase kundër fluksit emigrues klandestin dhe të trafiqeve të tjera të paligjshme nëpërmjet mjeteve detare të përmirësuara për kontrollin e brigjeve shqiptare, policia kufitare shqiptare, duke përdorur dhe mjetet lundruese të dhuruara nga pala italiane për të rritur kapacitetin operativ, garanton patrullimin e të gjithë brezit bregdetar me asistencën e mjeteve lundruese dhe të forcave të policisë italiane deri më 31 dhjetor 2003.’ Nga kjo kuptohet se Zyra Ndërlidhëse Italiane Interfocë në Shqipëri ka pasur për qëllim luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqet e paligjshme, por pas kësaj date nuk e gëzon më këtë të drejtë.

Kjo është një marrëveshje e re protokoll-mirëkuptimi që nuk është firmosur nga ministri i Brendshëm i Italisë dhe ai i Rendit Publik shqiptar. Mban vitin 2004, por jo firmat respektive që i jep të drejtën zyrës ndërlidhëse italiane të bashkëpunojë në veprimtaritë hetuese ndaj organizatave kriminale, me përparësi ata të implikuar nga trafiqet e drogës. Burime nga Ministria e Rendit nuk bëjnë publike një fakt të tillë, por vetëm pohojnë se oficerët e kontaktit së bashku me mjetet e tyre të kësaj zyre ndërlidhëse janë të gatshëm sa herë që ka nevojë pala shqiptare.

E këtë herë pa një mandat iu është kërkuar ndihma nga Ministria e Rendit për planin monitorues të sipërfaqeve të mbjella me kanabis. Marrëveshja hedh dritë mbi një veprim të paligjshëm ‘fluturim pa mandat’ pa përmendur këtu armët dhe përdorimin e tyre nga të huajt. Por Lazarati dhe ngjarja më e fundit ndodhur në këtë komunë tregon se shteti nuk duhet të funksionojë me marrëveshje xhentëllmenësh, por mbi dokumentacione legale. /tvklan.al