Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Edmond Llagami do të qëndrojë në burg pa afat, për akuzën e vrasjes së priftit spanjoll, Joakim Bernard. Në seancën me dyer të mbyllura, për vendosjen e kësaj mase, Llagami mësohet ta ketë pranuar kryerjen e krimit, ndërsa avokati i tij mbrojtës është shprehur se nuk ekzistojnë prova, që vërtetojnë se autori i vrasjes është klienti i tij.

Varianti që paraqiti policia një ditë pas arrestimit të 30-vjeçarit, lidhur me vrasjen e Bernardos, u pranua nga i pandehuri edhe para gjykatës. Bëhet fjalë për vrasjen e priftit, pasi ai kishte tentuar të kryente marrëdhënie të dhunshme me Eduard Keçin, miku i Llagamit. Ky i fundit, ndërsa ndodhej në dush, ka dëgjuar të bërtiturat e mikut të tij dhe në përpjekje për ta mbrojtur atë, i ka bllokuar viktimës frymëmarrjen. Pas kësaj, dy personat i kanë lidhur viktimës duart dhe këmbët.

Llagami thotë, se nuk kanë dashur ta kryejnë krimin. Enigmë ka mbetur zhdukja e kompjuterit nga shtëpia e viktimës. Sipas policisë, natën e vrasjes dyshohet se përveç Eduard Keçit dhe Edmond Llagamit tashmë të arrestuar, në banesën e priftit spanjoll ndodheshin edhe persona të tjerë.

30-vjeçari e ka pritur mjaft i qetë vendimin e gjykatës, për masën e sigurisë me burg pa afat ndaj tij./tvklan.al