Debat i madh pritet të ndizet mes pedagogëve dhe Ministrisë së Arsimit nëse kjo e fundit nuk ndryshon udhëzimin e sivjetëm për ngarkesën mësimore. Udhëzimi i ri i këtij viti redukton orën mësimore nga 90 në 60 min, por shton ngarkesën e çdo pedagogu. Pedagogët e çdo fakulteti janë të pakënaqur nga kjo shtesë e cila nuk justifikohet edhe me ndryshimin e pagës. Orët janë të papërballueshme, sipas tyre.

Ngarkesa vjetore në auditore e një profesori, sipas udhëzimit, është 200 orë në vit; e një profesori të asociuar është 220 orë; lektori me dhe pa grada 240 orë në vit; asistent pedagogu 260 orë; pedagogu i jashtëm deri 90 orë. Më pas për rektorë dhe zëvendësdekanë vijnë duke u reduktuar orët e mësmidhënies.

Por pedagogët nuk do të paguhen më për provimet, konsultimet, kontrollet e detyrave e recensat e diplomave të cilat nuk do të llogariten në ngarkesën vjetore pasi, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, janë detyrime që duhen kryer si pjesë e lëndës.

Pedagogët janë në pritje të reflektimit të zyrtarëve, llogaritarë të Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë që drejtori i Arsimit të Lartë në Ministri Agim Muça shprehet se mirëpret kërkesat konkrete, por përcaktimin e orëve të mësmidhënies nga ministria e quan tërësisht të justifikuar. Ky debat i hapur mund të shkojë deri në grevë të përgjithshme nga pedagogët në prag të fillimit të shkollës, pasi udhëzimi i ri përfshin vetëm mësimdhënien pa komponentët e tjerë siç është kërkimi shkencor dhe shërbimet. /tvklan.al