Kompania daneze “Maersk” kërkon që t’i kthejë në Shqipëri dy anijet e saj me ngarkesa që besohet se përmbajnë mbetje toksike të padeklaruara, të nisura nga Durrësi për në Tajlandë.

Ato u ndaluan nga autoritetet në portin e Singaporit, për shkak të dyshimeve të shoqatës mjedisore “Bazel Action Network” se mbetjet ishin të rrezikshme dhe sipas Konventës së Bazelit, eksportuesi ose gjeneruesi i mbetjeve do të duhet të kishte marrë miratimin nga autoritetet e vendit të nisjes, të vendeve të tranzitit dhe vendit pritës përpara se t’i eksportonte ato.

Në Shqipëri, kompania “Sokolaj SH.P.K”, që kreu eksportin, nuk ka bërë kërkesë për eksport mbetjesh të rrezikshme, siç ka sqaruar ministria e Mjedisit. Por teksa çështja ka shkaktuar shumë zhurmë, askush nuk e di me saktësi se çfarë mbetjesh ka në kontejner.

Shoqatat mjedisore ndërkombëtare që po ndjekin këtë çështje i kërkuan kompanisë daneze Maersk që të  kryeje analiza nga dy laboratorë të pavarur pa i shkarkuar ngarkesat.

Në të njëjtën linjë, Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit deklaruan se nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Më 18 Gusht, anija Maersk Campton besohet se ka shkarkuar 41 kontejnerët e tij në Singapor. Të nesërmen, kontejnerët u transferuan në një anije të kompanisë MSC që ishte planifikuar të lundronte për në Itali më 21 gusht.

Anija e dytë, Maersk Candor, e cila mbante 61 kontejnerët e mbetur, u ankorua në Singapor më 24 Gusht dhe nuk ka lëvizur që aty.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit në Singapor deklaroi se Maersk kishte njoftuar se do t’i dërgonte kontejnerët në vendin nga ku ishin nisur dhe se anija Maersk Candor ishte në rrugën e kthimit. Por pa u kryer analizat për të kuptuar se për çfarë mbetjesh bëhet fjale, kontejnerët me gjasë do të mbeten në det, në dy anijet e transportit.

Tv Klan