Teksa hetimet për të zbuluar se çfarë mbetjesh ka në 100 kontenierë të nisur nga Durrësi në Tajlandë vazhdojnë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kërkoi që të mos spekulohet derisa procesi hetimor të përfundojë.

“Të flasim mbi analiza të sakta dhe të mos kthejmë një çështje kaq procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare, e cila nuk bën asgjë tjetër veçse godet Shqipërinë në periudhën e saj më të mirë në sezonin turistik”, tha zv/kryeministrja.

Por numri dy i qeverisë siguroi se Porti i Durrësit nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi për të kontrolluar nëse kompania që bënte transportin kishte gënjyer në vetëdeklarimin e përmbajtjes së mbetjeve që po eksportonte apo jo. Ky proces, thotë ajo, i takon një kompanie koncesionare private që operon në këtë port.

“Në territorin e Portit të Durrësit operojnë koncesionarë të ndryshëm, por unë nuk po them që as koncensionari vetë ka ndonjë faj. Është detyrim i entitetit transportues apo vetë prodhuesit, deklarimi i kodit. Është me vetëdeklarim”, tha Balluku.

E pyetur pas mbledhjes së qeverisë nëse çështja e mbetjeve është e lidhur me ndërperjen e kontratave të 500 punonjësve nga kompania Kurum, Balluku dha këtë përgjigje.

“Ka pasur një njoftim të Kurum ditë përpara me thënë të drejtën pranë Bashkisë së Elbasanit për një vështirësi sa i përket operimeve. Nëse Kurumi shpall paaftësi financiare për të vazhduar operimin, patjetër që kontratat rishikohen”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja u pyet dhe me qëndrimin e grupit parlamentar lidhur me vendimin e Këshillit të Legjislacionit për të rekomanduar dërguarjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese dhe tha se nga mazhoranca nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi, por vetëm zbatim të ligjit dhe të vendimeve të Kushtetueses.

Tv Klan