Dëshira e fundit e yllit të kinematografisë Alain Delon ishte që të varrosej me qenin e tij. Aktori vdiq në moshën 88 vjeçare të Dielën dhe pak para se të jepte frymën e fundit u kërkoi familjarëve që qenin e tij Loubo ta vinin në gjumë. Pas kësaj ta varrosnin bashkë me të në tokën e tij në fshat.

Por familjarët e tij kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo pasi edhe aktivistë të shumtë kanë reaguar tejet ashpër, duke u shprehur se Luobo meriton të jetojë. Kështu vajza e Delon, Anouchka, ka konfirmuar se do e mbajnë qenin.

Ai është pjesë e familjes tonë”, mësohet të jetë shprehur ajo për fondacionin “The Brigitte Bardot”.

Ndërkohë një numër i madh i organizatave në mbrojtje të kafshëve kanë deklaruar se “jeta e një kafshe s’mund të varet kurrsesi nga njeriu”.

Pavarësisht reagimeve, në fakt në Francë nuk ekziston një ligj që i ndalon pronarët e kafshëve shtëpiake të ndërrmarrin veprime të tilla.

Delon krijoi një kishëz në një varrezë që përmban eshtrat e të paktën 35 prej qenve të tij në La Brûlerie, tokë të cilën e bleu në fillim të viteve 1970. Luobo-n e adoptoi në vitin 2014 nga një refugjat. Siç rrëfejnë 3 fëmijët e aktorit, ai e donte qenin si të ishte fëmija i tij.

Kam pasur 50 qen përgjatë jetës time, por me të kam një raport special. Ai ma ndjen gjithnjë mungesën. Nëse vdes para tij, do kërkoj që ai të vijë me mua. Ta vënë në gjumë në krahët e mi. Preferoj këtë se sa ai të më vizitojë te varri im dhe të ngordhë nga trishtimi”, ka thënë Delon më herët gjatë një interviste.

/tvklan.al