Ndeshja mes uruguaianëve të Nacional dhe brazilianëve të Sao Paolo, e vlefshme për fazën 1/16-ve, ngjalli panik të madh.

Në minutën e 83-të, mbrojtësi Juan Izquierdo humbi ndjenjat, duke u rrëzuar papritur në mesin e fushës.

27-vjeçari u aktivizua nga stoli në pjesën e dytë, por e përfundoi ndeshjen para të tjerëve. Izquierdo pati probleme kardiake dhe u rrëzua në fushë, pa pasur kontakt me ndonjë nga lojtarët.

Njëri prej shokëve të ekipit e kuptoi menjëherë dhe kërkoi të ndalej ndeshje. Ambulanca dhe mjekët u futën menjëherë në fushë, për t’i dhënë ndihmën e parë dhe e transportuan në spital me urgjencë.

Klubi i Nacional, në një deklaratë të bërë pas ndeshjes, zbuloi gjendjen e lojtarit, duke thënë se pësoi aritmi kardiake.

“Juan Izquierdo pësoi një aritmi kardiake gjatë ndeshjes kundër Sao Paulos. Ai po trajtohet në spital. Gjendja e lojtarit, aktualisht është stabile dhe mbetet nën vëzhgim”, thuhej në deklaratën e klubit.

Ndeshja në fund u fitua nga brazilianët e Sao Paolo me rezultatin 2-0, por për shkak të ngjarjes së ndodhur me Izquierdo, rezultati kaloi në plan të dytë. /tvklan.al