Nga viti në vit Shqipëria po bëhet një vend i preferuar nga të huajt për të jetuar e punuar. Sipas të dhënave të INSTAT në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë, duke pësuar rritje me 18,2%, krahasuar me vitin 2022, dhe rreth 7 mijë të huaj më shumë në krahasim me vitin 2021.

Numri i të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt me 63,8%, kundrejt femrave me 36,2%. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023 ishte 12.430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22,7%, krahasuar me vitin 2022.

Të huajt me origjinë nga Kosova dhe Italia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023, respektivisht me mbi 3 mijë banorë secili vend, ndërkohë që në rritje janë dhe Turqit me rreth 1700 banorë, dhe më pas renditet amerikanët dhe indianët. Të huajt me origjinë nga Evropa rezultojnë mbi 15 mijë banorë në vitin 2023 dhe përbëjnë 70,9% të të huajve gjithsej. Punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri me 48,3%, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22,2% e cila kërkohet kryesisht nga shtetasit nga Kosova dhe Turqia.

Por në rritje janë dhe ata që vijnë për studime, ku mbizotërojnë italianët. Sipas INSTAT rreth 17.7% e italianëve janë pajisur me leje studimi në Shqipëri. Ndërkohë që shtetasit indianë, janë të gjithë për të punuar. Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 6.630 të huaj të parregullt në territorin e vendit, ku pjesën më të madhe të tyre, rreth 44,0%, e zënë të huajt me origjinë nga Afganistani dhe Siria.

Klan News