Duke filluar nga 12 janari do të startojë në Tiranë për të vijuar më pas në të gjithë vendin, procesi i aplikimit për pajisjen me mjetet e reja të identifikimit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë, i cili e ka cilësuar shumë të rëndësishëm procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet e reja si dhe me pasaportat e reja biometrike, që do të përdoren për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e pritshme parlamentare të qershorit.

Sali Berisha: “Një apel ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë, mbi moshën 18 vjeç të shkojnë të aplikojnë për kartat e ID dhe letërnjoftimet. 12 janar fillon procesi në Tiranë, ju bëj thirrje qytetarëve të Tiranës, karta absolutisht një moment i veçantë për secilin prej nesh. Se ne marrim një dokument, një letërnjoftim të njëjtë dhe më modern në të gjithë Europën. Është një rast i artë që çdo qytetar të kontribuojë në zgjedhjet që vijnë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.”

Në mbledhjen e qeverisë që shënon dhe të parën për këtë vit, është miratuar projektligji për ngritjen e një instituti studimor dhe kërkimor krimet e ndodhura në regjimin komunist.

Një projektligji ky që vjen pas miratimit nga parlamenti të ligjit të lustracionit, ligj që mori vetëm votat e mazhorancës. Kryeministri për rreth 30 minuta ka folur për rëndësinë që ka ngritja e një institutit të tillë, që do të bëjë të mundur zbardhjen persekutimit dhe ekzekutimit të qindra shqiptarëve që kundërshtuan regjimin komunist.

Sali Berisha: “Ajo që është shumë e dhimbshme është se këto 18 vjet liri nuk kanë nxitur ende ndjenjën e faljes, ndjenjën e pendesës. Nuk është e thjeshtë të operohet, por duhet të përpiqesh të ndihmosh, duhet të përpiqesh të ndikosh për një vetëdije më të kthjellët. Dhe ajo që ne kemi zgjedhur, ne nuk kemi zgjedhur as hakmarrje, sepse nuk do ishte gjë tjetër vetëm replikim, ripërsëritja e asaj që ka ndodhur. E vërteta është që s’kemi zgjedhur as drejtësinë, ne kemi zgjedhur si me ligjin e lustracionit edhe me të gjitha vendimet dhe ligjet tjera që do ndërmerren. Ne kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm për një grup të caktuar të të drejtave të tyre, krejtësisht të përkohshëm. Kemi zgjedhur një përpjekje të madhe për të kujtuar, për të mos harruar.”/tvklan.al