Mazhoranca dhe opozita janë bërë bashkë në votimin e projektdeklaratës për kërkesën e heqjes së ligjit të luftës nga Greqia. Në momentin e votimit, të pranishëm në seancë plenare kanë qenë 96 deputetë, të cilët kanë votuar pro kësaj projektdeklarate.

Para se kërkesa të hidhej për votim, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi e ka quajtur ligjin e luftës të Greqisë ndaj Shqipërisë një “budallallëk historik”, teksa ka thënë se kanë kërkuar që të shfuqizohet për t’i dhënë një tjetër dinamikë fqinjësisë Shqipëri-Greqi.

Bledi Çuçi: Nuk do të na duhen të presim për të korrigjuar këtë budallallëk historik. Qeveria ka bërë përpjekje që kjo çështje të mbyllet. Kemi kërkuar që ky ligj të shfuqizohet për t’i dhënë një tjetër dinamikë fqinjësisë. Shqipëria dhe Greqia mund të jenë një shembull i shkëlqyer se si fqinjësia e mirë prodhon ardhmëri. Duam të rritet pesha e përgjegjësisë. E ftojmë Parlamentin e Shqipërisë për të miratuar për korrigjimin e këtij tavizmi. Minoriteti grek në vendin tonë është një vlerë e shtuar dhe asnjëherë nuk u janë mohuar të drejtat për shkak të origjinës së tyre. Ne duam të finalizojmë edhe marrëveshjen për pensionet, njësoj siç bëmë me Italinë.

Projekt-deklarata parashikon ngritjen e një grupi pune, i cili adreson problemet mes dy vendeve dhe heqjen e ligjit të luftës, që njëherazi mban peng edhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë.

Bëhet fjalë për një ligj që daton që prej 10 Nëntorit të 1940-ës, kohë kur u shpall dekreti mbretëror mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Asokohe të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u sekuestruan dhe filluan të administrohen nga shteti grek./tvklan.al