Shqipëria është vendi ku mund të pushosh mirë dhe të shpenzosh pak.

Ky është vetë sugjerimi i të përditshmes italiane “Today.it”  e cila përveç renditjes së Shqipërisë në vendin e parë jep një renditje të disa vendeve të tjera më të favorshme për të kaluar pushimet këtë fund Gushti.

“Brigjet e Shqipërisë në detin Jon dhe Adriatik ofrojnë plazhe të pacënuara me ujëra të pastër kristal që nuk kanë asgjë për t’i pasur zili nga ato të resorteve më të njohura të Mesdheut”, citon media italiane.

Sipas saj, riviera shqiptare në veçanti është një parajsë e vërtetë për adhuruesit e detit.

Saranda, me plazhet e saj të bukura dhe afërsia me parkun Kombëtar të Butrintit, apo Ksamili me ishujt e tij të vegjël të  veçantë që mund të arrihen edhe me not, garantojnë për udhëtarët italianë dhe jo vetëm pushime cilësore me çmime shumë të përballueshme.

Kostot e ushqimit dhe akomodimit janë shumë të përballueshme në krahasim me destinacionet e tjera evropiane, duke ju lejuar të shijoni plotësisht bukurinë natyrore dhe kulturore të vendit pa u shqetësuar për portofolin tuaj, përfundon shkrimi.

Klan News