“Shqipëria, një ish-diktaturë që nuk kishte një reputacion të mirë, është kthyer në një Eldorado për turizmin në Evropë”. Kështu nis një reportazh i televizionit të njohur francez TF1 kushtuar turizmit shqiptar.

Gazetarja Melanie Gallard thotë se të tërhequr nga çmimet ende të ulëta, këtu vijnë udhëtarë nga e gjithë bota.

Me ujëra të kristalta, hotele elegantë buzë plazhit, kuzhinë të rafinuar dhe një ndjenjë e vërtetë mikpritjeje, Shqipëria të çon në një drejtim tjetër.

Reportazhi ka ndjekur këtë grup turistësh që një agjenci udhëtimi i bindi të vijnë në Shqipëri ku ata gjetën diçka ndryshe nga ajo që kishin në mendje.

“Të afërmit tanë na dekurajuan, na këshilluan që mos vinim në këtë vend. Mafia, mashtrimet… Në fakt, jo, u befasuam. Na kanë pritur shumë, shumë mirë”.

300 kilometra vijë bregdetare dhe ujëra të pastra si kristali deri në 27 gradë Celsius në Gusht. Shqipëria ka një tjetër pasuri, kuzhinën e saj, të bollshme e me çmime të favorshme.

Çifti francez Aline dhe Michel u befasuan edhe nga rehatia në ambientet e hotelit që e imagjinonin shumë më të thjeshtë.

“Është më lirë se në vendet e tjera në rajon. Nëse shkoni në Itali, do të paguani shumë më tepër. Në hotelet që kemi frekuentuar në Kroaci kemi paguar shumë më shtrenjtë krahasuar me cilësinë e hotelit”.

Dokumentari i TF1 ka sjellë edhe historinë e çiftit shqiptar Suela dhe Aristidhi që pas emigrimit në Greqi vendosën të kthehen në Himarë dhe të investojnë në ngritjen e një hoteli të vogël. Tashmë presin vizitorë deri nga Australia.  

“Disa miq kanë bërë një udhëtim këtu dhe na thanë se ishte e bukur. Është bërë një vend shumë tërheqës”.

Suela:“E dinim që vendi ynë ishte i mrekullueshëm dhe se të huajt do të vinin një ditë, po ne nuk prisnim që ata të ishin kaq të shumtë e të vinin kështu në grup”.

Aristidhi: “Për mua kjo është pamja më e bukur e Himarës. Kur shkova në mërgim larg vendit tim, punova shumë për 30 vjet. Tani dua të përfitoj gjithashtu prej tij. Kjo nuk është vetëm për klientët”.

Dokumentari francez zhvendoset nga jugu në veri të vendit në një prej agroturizmeve të njohur në Fishtë të Lezhës ku drejtuesit thonë se presin deri në 20 mijë klientë në muaj. Edhe këtu vëllezërit Anton dhe Altin Prenga kanë vendosur të investojnë në vendlindje pas një përvoje në emigrim në Itali.

“Ishte e pakonceptueshme në atë kohe të hapje një restorant në një cep kaq të braktisur. Kur flisja për projektin tim me të rinj, edhe ata më mendjehapurit më thoshin do dështosh 100%”, shprehet Altin Prenga.

Tashmë edhe banorët e tjerë të zonës duken të prirur të investojnë në turizëm.

Ne do të donim të ndërtonim një dhomë të vogël për miqtë me dizajne guri si shtëpitë tona të vjetra të fshatit. Mund t’u ofrojmë klientëve gjithçka që prodhojmë, djathë, qumësht, kos”, thotë një grua e fshatit.

Nga veriu sërish në jug, por tashmë në një resort luksoz me synimin e sjelljes së një turizmi të nivelit të lartë.

“Mendoj se mikpritjen ata e kanë të natyrshme. Ata janë të ngrohtë dhe miqësorë, por nuk i njohin ende standardet”, shprehet Rene Audene, menaxhere.

Reportazhi 20 minutësh i TF1 thotë se Shqipëria ka hapur sot dyert e saj për turistët.

Falë më shumë se 200 fluturimeve në ditë me kosto të ulët, njerëzit po vërshojnë drejt këtij destinacioni, një nga më të lirët në Evropë.

Numri i vizitorëve është dyfishuar në dy vjet. Vitin e kaluar sipas saj 10 milionë njerëz zbuluan këto peisazhe spektakolare, shifër që natyrshëm pritet të tejkalohet këtë vit.

Tv Klan