Pasi kanë kaluar pushimet në Shqipëri, turistët italianë që po kthehen në atdhe përmes portit të Durrësit, largohen me përshtypje shumë pozitive.

Ata thonë se kanë përjetuar bukuritë natyrore, mikpritjen e ngrohtë dhe kulturën e pasur të vendit tonë gjatë qëndrimit të tyre.

“Kaluam shumë bukur dhe na pritën me shumë ngrohtësi. Njerëzit janë shumë të gatshëm të ndihmojnë, dhe deti është i mrekullueshëm. Qëndruam vetëm 4 ditë, por ato ishin 4 ditë të shkëlqyera. Çmimet këtu janë shumë të mira”.

“Kaluam për mrekulli. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të edukuar. Edhe pse qëndruam vetëm 4 ditë, ia vlejti. Çmimet, krahasuar me Italinë, janë më të lira. Erdhëm këtu për të përjetuar diçka ndryshe”.

Shumë prej tyre shprehen të gatshëm për t’u rikthyer, duke e konsideruar Shqipërinë si një destinacion të preferuar për pushime në të ardhmen.

“Këtu ka shumë turizëm dhe gjallëri. Nuk e prisja që vendi të ishte kaq i zhvilluar. Kam qenë këtu 15-20 vite më parë dhe e vë re qartë ndryshimin. E keni zhvilluar shumë turizmin, gjë që nuk e prisja. Pashë shumë njerëz, shumë lokale, dhe më pëlqen sa shumë keni ecur përpara. Që tani po mendoj t’i kaloj pushimet e ardhshme në Shqipëri”.

Në 15 ditët e para të këtij muaji, në portin më të madh të vendit janë regjistruar 120,810 pasagjerë që kanë kaluar kufirin, si dhe rreth 33 mijë automjete.

Tv Klan