Si duhet të zgjidhen deputetët për në Kuvendin shqiptar me sistem mazhoritar apo proporcional. Aktualisht në Shqipëri qëndron sistemi elektoral mazhoritar i korrektuar. Kandidatët për deputet vihen përpara zgjedhësve duke kërkuar votën dhe në praktikën shqiptare nëpërmjet premtimeve, ndonjëherë dhe me mjete të paligjshme, si blerje vote e manipulime me listat dhe komisionerët. Zyra në Mbrojtje të Qytetarëve ka hedhur ditë më parë idenë për të ndryshuar Kushtetutën e pikërisht në lidhje me sistemin zgjedhor.

Juristë konstitucionalistë të njohur kanë shprehur për Televizionin Klan opininet e tyre mbi sistemet e mundshme elektorale në vend. Zëvendësdekani i Fakultetit Juridik Ardian Nuni shprehet se sistemi mazhoritar ia ka dhënë mundësinë politikës aktuale të abuzojë me votën.

Ardian Nuni: “Sistemi mazhoritar ka prioritetin, sepse vetë individi del përpara njerëzve dhe njerëzit e dinë se për kë drejtpërdrejt po votojnë, por kjo e mirë që ka mazhoritari mund të sfumohet në realitetin shqiptar duke u kundërvënë përballë mundësive që ky sistem krijon me abuzimin me votat apo edhe me situata të ngjashme që mund të kenë ndodhur dhe në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa sistemi proporcional është një sistem që në një mënyrë më efikase, do të thoja unë, e zgjidh këtë problem, pra godet abuzimin me votën, natyrisht që nuk mund të flitet për një eliminim të këtyre fenomeneve dhe nga ana tjetër një tjetër e mirë e këtij duket në krijimin apo realizimin e grupeve të qarta politike në parlament.”

Një tjetër jurist i së Drejtës Kushtetuese shprehet se në kushtet e politikës shqiptare ndryshimi i sistemit elektoral mund të konisderohet si një ndryshim pozitiv.

“Ne nuk kemi një ligj të përcaktuar drejt për financimet e partive politike dhe të personave të cilët financojnë paratë e tyre për të ndihmuar zgjedhjet apo kandidatët. Kjo lë vend për një abuzim apo për tendenca në rritje të financimeve kundrejt shpërblimeve për të hyrë në parlament. Aktualisht Shqipëria e ka eksperiencën e mazhoritarit dhe ka parë mjaft probleme që kanë dalë nga kjo eksperiencë si dhe nuk e di elektorati a është i kënaqur me kontaktet e vazhdueshme që ka pasur me të zgjedhurit, kjo është një minus që ne duhet ta pranojmë që ka pasur mungesë vazhdimësie në kontaktet e elektoratit dhe personave të zgjedhur. Në këtë kontekst, në analizë të fundit deri në këto momente, unë mendoj që sistemi proporcional i përshtatet realitetit shqiptar.”

Por, për konstitucionalistin e njohur Luan Omari, më shumë se lloji i sistemit zgjedhor, vlen vullneti politik. Omari nuk përjashton mundësinë e ndryshimit, por jo për zgjedhjet e 2005.

Luan Omari: “Nuk është sistemi ai që zgjidh të drejtën e votës dhe korrektësinë e procesit zgjedhor, është vullneti politik, janë masat ligjore kushtetuese që merren dhe procesi ligjor, sigurisht sistemet janë të ndryshme dhe ka sisteme që i përshtaten një vendi dhe jo një vendi tjetër, prandaj deri sot është menduar me të drejtë, është menduar që sistemi i tanishëm shqiptar, që është sistem i përzier në thelb në shumicë mazhoritar, por me një dozë të madhe proporcionali. Është një sistem i mirë që kanë edhe vendet e tjera p.sh. Gjermania.”/tvklan.al