Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pretendon se i është bërë shantazh anonim në telefon. Ai ka informuar SPAK për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të falsifikuar.

Bardhi deklaron se më datë 28 Shtator i kanë mbërritur disa mesazhe në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar. Kreu i grupit demokrat deklaron në letrën drejtuar kryeprokurorit Dumani se këto SMS i kanë ardhur pas seancës së parlamentit me 12 Shtator, paralajmëroi lidhjet e funksionarëve publikë me krimin.

“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballet me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor.”

Gazment Bardhi i kërkon SPAK të verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese me qëllim indentifikimin e autorëve. Letra drejtuar kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani mban datën 28 Shtator dhe në dijeni ka vënë Ambasadën e Shteteve të Bashkuar në Tiranë, delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar.

Klan News