Ndërsa e djathta është përfshirë nga një lëvizje politike ribashkimi, ku reformatorët janë shprehur qartazi për një shkrirje me Partinë Demokratike, për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, këto zhvillime janë pazare për të mbajtur në politikë vetëm krerë e këtyre partive.

Ilir Meta: “Çdo parti e cila synon thjeshtë të mbijetojë në një sistem politik, ka fatin e vetasgjësimit.”

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët Meta ka mohuar të ketë kërkuar takim me ish-kreun socialist Fatos Nano, ashtu siç është përfolur, por sipas tij koalicioni “E majta për Integrim”, ku LSI-ja është forcë kryesore është i hapur për bashkëpunim me të gjitha faktorët e interesuar.

Ilir Meta: “Nuk ka arsye që të ekzistojnë as keqkuptime për emra të përvetshëm kushdo qofshin ata mendoj se qëndrimet e LSI-së kanë qenë dhe mbeten tepër parimore. Në sfidën për të evituar instalimin e një kaste politike dhe ekonomike përjashtuese për shumicën dërrmuese të shqiptarëve janë të mirëpritur të gjithë që të kontribuojnë.”

Duke u ndalur tek situata brenda së majtës, Meta vijoi tonet kritike kundrejt Partisë Socialiste duke e akuzuar kreun e saj Rama, se vazhdon t’i japë mbështetjen kryesore që Berisha të vazhdojë i qetë të qeverisë vendin.

Ilir Meta: “Një situatë të tillë Partia Socialiste synon të vazhdojë me politikë e faktit të kryer duke i mbyllur këto marrëveshje dhe reforma të mëdha vetëm me Sali Berishën.”

Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës në Gjeorgji duke nënvizuar se ishte e rëndësishme që Rusia të respektonte sovranitetin e këtj vendi./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Isdor Rudho