Ilir Meta ka shfrytëzuar një takim të forumit për politikat e emigracionit, për të ritheksuar dhe njëherë se nuk do të jetë pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 2009-ës.

Ilir Meta: “Koalicioni që ne do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme, sepse LSI nuk do të hyjë e vetme në zgjedhje, ajo do të hyjë koalicion me shumë faktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, do të jetë në radhë të parë një koalicion principesh”.

Meta ju ka shpjeguar emigrantëve të pranishëm në takimin e thirrur gjatë paradites së shtunë, pse është kundër koalicioneve të përbëra apo manovrave politike të dy partive të mëdha siç i ka quajtur ai.

Ilir Meta: “Aq në hall kanë rënë iniciatorët e këtij sistemi, sa bëjnë përsëri shpikje alla shqiptare dhe ça janë këto koalicionet e përbëra? Koalicionet e përbëra janë që çdo parti gjoja të konkurrojë më vete po të jetë në një koalicion ku nuk ka rëndësi se çfarë principesh ka apo do të ketë ku nuk ka rëndësi se çfarë vlerash dhe se çfarë qëllimesh. Po ku i vetmi qëllim është që në fund fare, në varësi të atyre presjeve dhjetore që në mënyrë më të thjeshtë janë konsideruar dhe si bishta të bëhet noj shkëmbim kush ka bishtin më të madh, të marrë bishtin e atij që e ka më të vogël”.

Duke folur për rëndësinë që ka vota e emigrantëve, Meta deklaron se nga ana e dy partive të mëdha mungon vullneti politik për të bërë të mundur që edhe emigrantët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës pasi duke mos e ushtruar dot presion mbi ta janë të bindur se votat e tyre nuk do të shkojnë për demokratet apo socialistët./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Montazh Malvina Dusha