Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka ashpërsuar tonet ndaj ish-aleatit te tij, Edi Rama. Gjatë një takimi me qytetare e simpatizantë të partisë së tij, në Shkodër Meta, ka akuzuar kreun e selisë rozë si shkaktarin kryesor të përçarjes të së majtës dhe si i kapur nga mazhoraca. Sipas tij mbi kryetarin e Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryetar i bashkisë më të madhe në vend rëndojnë akuza të shumta për korrupsion. Për të gjitha këto akuza, Meta e ftoi Ramën në një debat televiziv.

Ilir Meta: “Unë e ftoj që të dalim në një debat televiziv dhe të marri kë të dojë me vete që të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kush e ka përçarë dhe do të mbajë të përçarë të majtën për hir të një pushteti të korruptuar. Që të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kë ka nën kontroll Sali Berisha. Ka nën kontroll Edi Ramën apo ka nën kontroll Ilir Metën. Të kuptojnë se ndaj kujt ka material shtrëngues Sali Berisha që sa herë bërtet, o i merr kodin, o i merr ligjin për prokurorinë, o i merr ligjin për gjykatat. I merr çfarë të dojë.”

Meta e kritikoi gjithashtu Ramën për qëndrimin e mbajtur në lidhje me ligjin e lustracionit. Ndërsa shprehu bindjen se partia që ai drejton do të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 28 qershorit. Më tej kreu i LSI-së prezantoi 2 kandidatët për deputetë në Shkodër, Sokol Axhemin dhe Seit Fishtën./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli