SPAK ka nisur hetimin pasuror për të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza”.

Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton se mes personave ndaj të cilëve po bëhet hetim pasuror janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.

Në ‘sitë’ janë vënë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë burime të ligjshme. Ky hetim po ndiqet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Arben Kraja.

Kujtojmë po ashtu se ditën e djeshme, në Gjykatën e Posaçme të Apelit u zhvillua një seancë me dyer të mbyllura ku është diskutuar lidhur me masat e sigurisë të të arrestuarve, nëse hetimi i tyre duhet të vijojë teksa ata ndodhen në qeli.

Kjo dosje është komplekse sepse veç të arrestuarve, 9 persona janë ende në kërkim dhe akuzat janë tepër të rënda.

Dosja lidhet me vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër, plagosjen e Taulant Pepajt, po në këtë qytet si dhe 3 plane atentatesh të parealizuara./tvklan.al