Banka e Shqipërisë në një reagim të sajin pas letrës së Presidentit Bajram Begaj drejtuar Kuvendit, bën të ditur se masat e ndërmarra nga ky institucion financiar sa i përket mikrokredive kanë qenë në mbrojtje të konsumatorit.

Në të theksohet se rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë

“Nga ana e aspektit licencues, ky rregullim solli ndryshim vetëm për ato institucione të reja që mund të futeshin në treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetëm nga kredi me probleme. Banka e Shqipërisë, në asnjë moment as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme duke mundësuar ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit”.

Falë këtyre ndërhyrjeve ligjore është mundësuar edhe ulja e kredive me probleme.

“Banka e Shqipërisë ka mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike,  ka përmirësuar drastikisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve”.

Më tej, Banka e Shqipërisë thekson se e ka ushtruar llogaridhënien në mënyrë të vazhdueshme pranë Kuvendit të Shqipërisë përmes seancave dëgjimore apo raportimit periodik për aktivitetin vjetor të këtij institucioni.

“Sot, miliona shqiptarë i kanë besuar sistemit bankar e financiar rreth 16 miliardë euro, sistem mbi të cilin Banka e Shqipërisë vigjilon pareshtur, ndaj çdo keqinformim mbi rolin dhe funksionet e Bankës së Shqipërisë rrezikon cenimin e reputacionit të këtij institucioni, i cili ka marrë kurdoherë vlerësime maksimale nga partnerët dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare”.

Me tej theksohet se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekte ekskluzive të Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë. Gjithashtu as veprimtaria e shërbimit përmbarimor shtetëror apo privat nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë.

Tv Klan