Minatorët e Pogradecit janë solidarizuar me grevën e sindikatës në të gjithë vendin.

Ata kanë hyrë në ditën e katërt të ngujimit në mbështetje të kërkesave për ndryshimin e statusit.

Një prej tyre është detyruar të ndërpresë grevën për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ndërkohë që minatorët e tjerë asistohen nga mjekët.

Ata ankohen për pensionin e ulët dhe trajtimin e pabarabartë me kategoritë e tjera të punës.

Salltem Kapirani:“Unë kam punuar 16 vjet nën tokë edhe marr një pagë 60 mijë lekë të reja. Nuk e përballoj dot vetë i gjashtë.”

Bexhet Minini: “Minatori duhet të dalë në moshën 50 vjet në pension. Po ashtu kryesore është që këta minatorë të vjetër, të cilët janë në pension të marrin jo më pak se 25 mijë lekë të reja në muaj. Në qoftë se nuk do Sali Berisha të na takojë ne do të jemi ne ata që do ta takojnë Sali Berishën”.

Minatorët e Pogradecit do t’i bashkohen tubimit që sindikalistët kanë parashikuar në ditët në vazhdim përpara ambienteve të kryeministrisë.

Ata kanë kërkuar nga parlamenti ndryshimin me ligj të statusit të tyre./tvklan.al