Për t’i dhënë dritën jeshile  Shqipërisë për çeljen e negociatave në Qershor, vendet anëtare presin që vullneti i reformave të mos ndryshojë në mënyrë që edhe shtetet skeptike të binden plotësisht. Këshilla vjen nga ministri gjerman i shtetit, Michael Roth.

“Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së, të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri, të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “Po”, i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu”.

Roth nënvizon se çuarja para drejtësisë e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion duhet të jetë përparësi për Shqipërinë.

“Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në”.

Në prag të protestës së paralajmëruar nga opozita më 16 Shkurt, ministri gjerman i shtetit bën thirrje për tubim paqësor dhe thotë se në këtë moment Shqipërisë i nevojitet dialog mes palëve.

“Vendi qëndror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës. Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike”.

Roth vlerësoi ecurinë e deritanishme të procesit të Vettingut dhe theksoi domosdoshmërinë e përfundimit sa më shpejt të reformës zgjedhore, kur roli i opozitës sipas tij është tejet i rëndësishëm për ta përmbyllur në kohë. Lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd, ai tha se qëndrimi i Gjermanisë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon.

Tv Klan