Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, bëri thirrje të enjten për një hetim shtetëror për dështimet në lidhje me sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, duke thënë se hetim duhet të bëhet edhe ndaj vetë atij dhe shefit të tij, kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Gallant i bëri këto komente në një ceremoni diplomimi për oficerët e ri ushtarakë, ku mori pjesë edhe Netanyahu, koalicioni qeverisës i të cilit është buzë dështimit si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme.

Hetimi shtetëror, tha ai, duhet “patjetër të jetë objektiv, dhe duhet të hetohemi të gjithë ne që i marrim vendimet dhe ata të cilët i zbatojnë ato; Qeveria, ushtria dhe agjencitë e sigurisë”.

“Duhet të hetohem unë, ministri i Mbrojtjes, dhe duhet të hetohet edhe kryeministri”, tha Gallant.

Netanyahu i ka hedhur poshtë thirrjet për kryerjen e një hetimi shtetëror për sulmin e 7 tetorit, i cili e zuri Izraelin të papërgatitur dhe e nxiti luftën në Rripin e Gazës. Ai thotë se hetimi për atë se cfarë ndodhi atë ditë, duhet të kryhet pasi të ketë përfunduar lufta në Gazë.

Vetëm Qeveria mund të vendosë për formimin e një komisioni hetues shtetëror, i cili ka mandat më të gjerë dhe gjetjet e tij kanë peshë të madhe.

Anëtarët e një komisioni të tillë zgjidhen nga kryetari i Gjykatës Supreme.

Gallant ka pasur mospajtime me Netanyahun edhe më parë.

Vitin e kaluar, pas disa muajve protesta gjithëkombëtare kundër planeve të Qeverisë për t’ia kufizuar pushtetin Gjykatës Supreme, Gallant kërkoi që ligji të tërhiqej, duke paralajmëruar se mosmarrëveshjet publike mund ta dëmtojnë sigurinë kombëtare.

Netanyahu e shkarkoi atë menjëherë, duke nxitur dhjetëra mijëra izraelitë të dalin nëpër rrugë në mbështetje të Gallantit. Kryeministri veteran e ndryshoi mendjen dhe Gallant e mbajti postin.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Kjo e nxiti Izraelin ta nisë menjëherë një luftë ajrore dhe tokësore në Gazë, e cila prej atëherë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Izraeli thotë se më shumë se 120 pengje po mbahen ende në Gazë, pasi më shumë se 100 të tjerë u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor. Sipas tij, rreth 40 pengje kanë vdekur dhe druhet se më shumë do të vdesin me vazhdimin e luftës.

Bisedimet për armëpushimin kanë ngecur kohë pas kohe për shkak të kërkesës së Hamasit që çdo marrëveshje të përfshijë përfundimin e luftës.

Kryeministri Netanyahu ka ofruar ndërprerjen e përkohshme të luftimeve, por ka thënë se lufta nuk do të mbarojë derisa Izraeli ta shfarosë Hamasin dhe t’i kthejë të gjitha pengjet që po mbahen nga grupi militant./REL