Samiti i radhës i NATO-s në fillim të muajit Prill të këtij viti do të bëjë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota të aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Ndërsa data afron autoritetet shqiptare duken edhe më besimplotë të mbështetur në panoramën e ratifikimeve prej 18 vendeve anëtare të protokollit të anëtarësimit.   Ky i fundit është shqyrtuar dhe ratifikuar në Bllok me protokollin për Kroacinë.

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tregon gjatë një interviste për TV Klan ecurinë e negocimit me vendet e tjera, gjithsej tetë anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut që mbeten ende për t’i shkuar deri në fund procesit.

Lulzim Basha: “Sot ratifikimi nga Belgjika ka marrë forcën ligjore pasi është firmosur nga mbreti belg dhe është depozituar në të njëjtën ditë në Uashington. Në të njëjtën kohë sot në një numër parlamentesh të këtyre tetë vendeve ka aktivitete që kanë të bëjnë me ratifikimin. Kështu për shembull parlamenti francez, senati francez, dhoma e dytë e Francës sot shqyrton në komision të jashtëm protokollin dhe pritet që nesër ta shqyrtojë në senat dhe ne presim që shqyrtimi të përfundojë me ratifikim. Kemi indikacione që senati holandez, i cili e ka shqyrtuar procesin do të eci javën që vjen po kështu me ratifikim, ndërkohë që po sot komisioni i punëve të jashtme të parlamentit të Luksemburgut e ka marrë nën shqyrtim dhe pritet që javën tjetër ta përfundojë. Në datë 6 do të jem në Lisbonë në një takim me homologun tim, zotin Amado, Luis Amado, ku besoj se do të kemi informacionin më të fundit përsa i përket përfundimit të ratifikimit nga Portugalia që po kështu pritet pa probleme brenda një kohe të shkurtër. Do të takohem me datë 7 ose ditën tjetër me Ministrin e Jashtëm slloven. Jemi në kontakt që në orët e para të betimit të qeverisë së re islandeze me këtë qeveri, me kanalet diplomatike me ministrin e jashtëm atje dhe unë shpresoj që brenda një kohe jo fort të gjatë të kem një kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e jashtëm islandez, ndoshta dhe një takim personal. Ndërkohë që me datë 9 Shkurt pres në Tiranë Dora Bakojanis, Ministren e Jashtme të Greqisë, e cila po kështu gjatë bisedës së fundit telefonike që kam patur me të ka garantuar se procesi i ratifikimit të protokollove nga ana e Greqisë do të ecë pa probleme brenda një kohe shumë të shkurtër dhe bazuar mbi 18 ratifikimet që tashmë kanë ndodhur mbetem optimist se procesi do të përfundojë në mënyrë që Shqipëria dhe Kroacia në Strasburg të shkojnë si anëtare të plota”.

Ndërkohë pasditen e së martës komisioni i jashtëm i parlamentit grek ka miratuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Për qeverinë shqiptare nuk duket të jetë problem as ratifikimi i protokollit prej parlamentit slloven.

Shtyrja e ratifikimit të protokolleve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë u komentua mediatikisht si fryt i përplasjeve mes qeverisë sllovene dhe asaj kroate.

Por burime diplomatike i mëshojnë fort argumentit se problemet e brendshme të Sllovenisë mazhorancë-opozitë që lidhen me mosmiratimin e buxhetit faktik, kanë penalizuar protokollet për anëtarësim në NATO.

Një shtyrje gjithsesi me afat të kufizuar duke patur parasysh se të njëjtat burime pohojnë se krerët e NATO-s dhe SHBA kanë ushtruar presion pozitiv për mbylljen sa më parë të këtij procesi.

Logjika duket të jetë e njëjtë, të dy protokollet do të votohen dhe ratifikohen në Bllok.

Lulzim Basha: “Parlamenti ka përfunduar diskutimet sa i përket Shqipërisë, diskutime të cilat kanë qenë jashtëzakonisht pozitive me vlerësimet më të larta për Shqipërinë, jo vetëm për politikën e saj rajonale dhe të sigurisë, por reformat e bëra në vend dhe për marrëdhëniet sigurisht, marrëdhëniet bilaterale midis Lubjanës dhe Tiranës, por mund të them se të gjitha kanalet na kanë siguruar se diskutimi do të vazhdojë, shqyrtimi do të vazhdojë dhe pritet të konkludohet në me sukses të plotë”.

Që prej nënshkrimit të protokollit për anëtarësim, vendet anëtare të NATO-s kanë reaguar me shpejtësi domethënëse në ratifikimin e protokolleve për Shqipërinë dhe Kroacinë, një moment që duket ka si bazë vlerësimin e shprehur për reformat e ndërmarra që garantojnë anëtarësimin e plotë në samitin e Prillit 2009./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi