Gjatë konferencës “Tirana Diplo 2024”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek pozicioni i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai veçoi Italinë, Greqinë e Turqinë si shtete mike dhe partnerë strategjikë të vendit tonë.


“Duke qenë në këtë pjesë të Europës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, të historive e interesave, nuk është gjithmonë e lehtë. Kjo pasi ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe Greqisë, e për ne janë dy miqësi shumë të rëndësishme, por ndërkohë është e shkruar e zeza mbi të bardhë qysh në krye të herës, që këto dy vende bashkë me Italinë janë partnerët tanë strategjikë. Ne jemi vend i vogël dhe vetëdija e përmasës është e rëndësishme për të ruajtur modestinë, por edhe për të kuptuar domosdoshmërinë jetike që ne duhet të rritemi dhe të fuqizohemi, si shtet dhe si komb.”

Më tej, Rama tha se për t’u fuqizuar si komb nevojitet respekt e besim reciprok me aleatët tanë.

“Të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë, që në të shkuarën ka çuar në situata të padëshirueshme të shoqëruara me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar pastaj Shqipërisë në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare. Të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit pasi nuk kemi asnjë arsye. E për t’u rritur e fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, besim e të rrisim prestigjin tonë duhet të flasim me qartësi e respekt me aleatët dhe miqtë tanë dhe të pretendojmë të njëjtën gjë prej tyre. 2030-a duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë, të ulur në tryezën e BE-së.“

/tvklan.al