Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon nga kjo e hënë për tre ditë rradhazi Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.

Eventi do të organizohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, do të jenë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj. Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.

“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare!”

Ceremonia e hapjes dhe paneli “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, me pjesëmarrjen e Ministrit Hasani dhe Znj.Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë.

Klan News