Lajme Arkiva 2003

Prodhimi i energjisë elektrike aktualisht mund të përballojë furnizim të plotë pa asnjë ndërprerje. Një gjë e tillë nuk aplikohet për të ruajtur burimet energjetike dhe për të edukuar te konsumatorët rritje të mëtejshme të arkëtimeve. Deklaratën e ka bërë numri dy i Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës Pjetër Dema.

Pjetër Dema: Energji elektrike ka për të plotësuar nevojat në masë të plotë për të gjithë konsumatorët. Vetëm se çdo njeri duhet ta ketë të qartë që energjia elektrike më parë duhet paguar që ta kesh atë në mënyrë të vazhdueshme që të zhvillohet e gjithë ekonomia si në Shkodër ashtu dhe në gjithë territorin e vendit.

Zëvendës ministri Dema reagoi pas akuzave të nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefina Topalli për mungesa të zgjatura të energjisë elektrike në qytetin e Shkodrës.

Pjetër Dema: Në qoftë se ne do të furnizonim Shkodrën mbi bazën e përqindjes reale të tatimeve asaj mund ti takonte 1-2 orë furnizim në ditë.

Zyrtarisht nuk është deklaruar se sa mungon energjia elektrike në qytetin e Shkodrës ndërkohë që burime lokale bëjnë të mundur se 10 orë në ditë qyteti është në errësirë 5 nga të cilat gjatë natës.

Dema pretendon se investimet e parashikuara në energjetikë për Shkodrën janë të larta, në këto investime ai përfshin edhe hidrocentralet që furnizojnë të gjithë vendin. Dema i është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për eksporte te larta të energjisë duke thënë se eksportet aplikohen vetëm në rastet e mbiprodhimit për shlyerje të borxheve ndërkohë që KESH ka ulur ndjeshëm shkallën  e importeve./tvklan.al