Këto janë pamjet që mund t’i ndeshësh lehtësisht në shumicën e qyteteve tona. Fëmijët e shkollave e kanë të pamundur që të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, për shkak të trafikut kaotik dhe mungesës së sinjalistikës rrugore.

Nga një vëzhgim që bëmë me kamerën tonë në disa qytete, konstatuam se nxënësit e shkollave janë të rrezikuar seriozisht nga aksidentet rrugore.

Në Shkodër tabelat e vendosura për orientimin e nxënësve dhe drejtuesve të mjeteve, mungojnë prej kohësh në rrugë dhe trotuare.

Agron Kastrati: “Bashkia duhet të reagojë edhe me mjete tjera rrethanore. Sepse është një rrugë kryesore që mund të venë bume plastike ose mjete të tjera parandaluese. Në mënyrë që të kemi sa më pak ose të mos kemi aksidente.”

Në Peshkopi muajt e fundit kanë ndodhur 3 aksidente me pasojë vdekjen, ku viktima kanë qenë edhe fëmijët.

Ilir Klosi: “Struktura jonë e policisë bashkiake është  pakët, me 3 polic dhe këto 3 polic nuk mund të mbulojnë gjithë këto shërbime. Ne pra u kemi kërkuar policisë rrugore që këto probleme të trafikut ti mbulojë policia rrugore.”

Në Durrës përveç mungesës së tabelave, disa shkolla nuk kanë as mure rrethuese. Çka shumë herë i kthejnë oborret në parkingje për makinat.

Nxënës: “Kemi frikë se makinat ecin me shpejtësi.”

Nxënëse 1: “Kemi frikë se edhe makinat mund të mos shikojnë dhe mund të na shkelin.”

Vangjush Dako: “Besoj se në fund të muajit apo fillim të muajit që vjen do të kemi vendosur gomat e kufizimit të shpejtësisë në të gjithë rrugët kryesore të qytetit dhe aq më tepër atje ku janë shkollat.”

Në Korçë rrugët nuk kanë asnjë sinjalistikë për fëmijët e shkollave. Ndërsa në Lushnje dhe Fier ky problem ekziston prej vitesh. 

Në Tiranë, ku trafiku i automjeteve  është edhe më i rënduar, në shumë raste zgjidhja e vetme është kujdesi që duhet të tregojnë vetë nxënësit ose prindërit e tyre. Edhe pse në disa shkolla ekzistojnë sinjalet dhe tabelat, janë drejtuesit e automjeteve që nuk i respektojnë ato.

Bruna Cami: “Fëmijët e kësaj shkolle për të ikur në shtëpi apo për të ardhur nga shtëpia në shkollë janë të detyruar të kalojnë përmes një trafiku të çmendur. Pasi nuk ka asnjë tabelë që të njoftojë ato se tani mund të kalojnë. Apo gjithashtu të ndalojnë shoferët e automjeteve që të kalojnë në momentin që nxënësit duhet të dalin apo të hyjnë.”/tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami