Me tone të ashpra kryeministri Fatos Nano ka akuzuar opozitën, por edhe Lëvizjen për Integrim që po i ndahet Partisë Socialiste për lidhje të dyshimta me krimin dhe drogën. Duke folur për çështjen e Lazaratit, kryeministri Nano nga Saranda deklaroi:

Fatos Nano: “Ne nuk do të lejojmë bashkëjetesën e politikës me krimin, të drogës me lëvizjen e lirë dhe me ritmet e larta të rritjes ekonomik të vendit, të trafikantëve me sipërmarrësit. Ne nuk do të lejojmë bashkëjetesën e politikës së krimit me pasurimin në rrugë të paligjshme. Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të rrezikojë të jetë qoftë edhe një hije e keqe e Kolumbisë.”

Nano ka akuzuar ashpër në mënyrë të hapur edhe përfaqësuesit e Lëvizjes për Integrim për lidhje të dyshimta me trafiqet dhe drogën.

Fatos Nano: “Në Partinë Socialiste nuk ka kanabis, ose më saktë, ata që mund të dyshoheshin për gjëra të tilla po ikin dhe kanë ikur, për pasojë ne nuk mund të kemi ndonjë konspiracion ndërkombëtar të qeverisë shqiptare apo të partisë që drejton mazhorancën me interforcën apo me struktura të tjera të specializuara që bashkëpunojnë me shtetin shqiptar për të luftuar trafiqet apo realitetet kriminale që të krijonim dokumentarin e Lazaratit për të mbuluar ndonjë realitet tjetër. Më lejoni t’ju them që dokumentari i Lazaratit tregon se Lazarati duhet të çlirohet nga trafikantët dhe politikanët e trafiqeve.”

Kryeministri i bëri këto deklarata gjatë vizitës së tij në Sarandë, Nano ishte i pranishëm në Gjirin e Manastirit ku janë dislokuar forcat efektive të RENEA-s. Kryeministri përgëzoi forcat e RENEA-s për operacionin e sukseshëm të shpëtimit të jetëve të pasagjerëve në rrezik të tragetit “antonia” disa ditë më parë. /tvklan.al