13 deputetët dushkarë, djemtë e lëvizjes qytetare “MJAFT!” dhe ish-kryetari i FRESH-it ishin objekti i kritikave të kryesocialistit Fatos Nano në takimin me të rinjtë lushnjarë.

Fatos Nano: “Por ne nuk mund të lejojmë që për shkak të dushkarëve, Lushnja të ndahet në 13 copa. Kam bindjen se së bashku të organizuar dhe të koordinuar do dimë t’i themi “Mjaft!” mjaft problemeve dhe shqetësimeve që zgjidhen më thjeshtë dhe më shpejt me aksion të vetëdijes qytetare dhe jo me shëtitje bulevardeske apo me dekrete që sillen nga zyra në zyrë.”

Nano u shpjegoi bashkëmoshatarëve lushnjarë se nuk është ai që ka në dorë çelsin e Brukselit. Sipas kryeministrit, integrimi në Bashkimin Evropian do të vonohet përderisa shqiptarët vriten për pronat, nuk zbatojnë ligjin dhe nuk paguajnë ujin dhe dritat.

Fatos Nano: “Në qarqe të caktuara politike dhe të interesuara për pushtete të pamerituara po tentohet të krijohet përshtypja se çelsin e derës së Brukselit e paska vetëm Fatos Nano. Si kryeministër që jam, pa dyshim kam detyra dhe përgjegjësi të veçanta të dorës së parë që m’i ngarkon ligji dhe përgjegjësia politike që më keni dhënë për të udhëhequr mazhorancën socialiste dhe progresiste, por unë nuk kam asnjë çelës apo fuqi magjike, nëse integrimin nuk e kuptojmë dhe përballojmë si sfidë kombëtare ku çdo inivid, grup moshor a social, i angazhuar apo i paangazhuar në politikë, nga qyteti apo nga fshati, burra apo gra nuk do të kuptojë dhe përmbushë rolin dhe kontributin e vet në këtë proces të gjithanshëm.”

Më i ashpër me ministrat që nuk realizojnë projektet ishte kreu i FRESH-it Gjergj Koja. Sipas Kojës, ka ardhur koha që toleranca e Nanos ndaj tyre të marrë fund. Në takimet me pushtetarët lokalë kryeministri premtoi dhënien e më tepër kompetencave dhe fondeve për qytetin e Lushnjës. /tvklan.al