Lajme Arkiva 2003

Pas 15 javësh maratonë emocionesh me momente nga më të bukura, spektakli më i madh i kushtuar këngës dhe traditës shqiptare Maratona e Këngës Popullore Qytetare ka mbërritur në natën finale të tij.

Mbi 60 ishin këngëtarët që morrin pjesë në konkurrim për festivalin e “Disko Folkut” dhe tani vetëm 60 prej tyre kanë mbërritur në natën finale e cila do të shpallë edhe fituesit e saj.

Disa nga këngëtarët konkurrues për 10 çmimet e mëdha mes të cilave mund të përmenden çmimi i kritikës, çmimi i publikut, çmimi i Tv Klan, çmimi i parë, i dytë dhe i tretë, në këtë edicion të dytë do të jenë Mariza Ikonomi, Jonida Maliqi, Agim Poshka, Petrit Lulo, Rovena Dilo, Altin Goci e mjaft të tjerë.

Kështu pra Maratona e Këngës Popullore në edicioni e dytë të saj solli mjaft emocione dhe kjo jo vetëm  në garën mes këngëtarëve për festivalin e “Disko flokut”, por edhe në prezantimin e traditës dhe kulturës në qytete të ndryshme shqiptare të cilat shquhen për veprat e tyre kulturore dhe artizanatin.

Mbi 100 kanë qenë të ftuarit vip që kanë prekur skenën e kësaj maratone në atë që mund të quhet skena më gjigande përsa i përket televizioneve private në Shqipëri. Prezantuesit Rudina Magjistari dhe Gulielm Radoja, grupi i baletit i Tv Klan nën drejtimin e Albi Nakos, skenaristi Pandi Laço dhe regjisori Julian Napoloni së bashku me stafin realizues të këtij spektakli kanë përcjellë çdo të hënë për publikun një show me një nivel të lartë artistik.

Tashmë çdo gjë do të finalizohet në mbrëmjen e sotme ku juria e përbërë nga 7 anëtarë dhe e kryesuar nga Limos Dizdari do të shpallë fituesit e kësaj maratone e cila është kthyer në një traditë të bukur televizive, falë punës dhe përkushtimit të gjithë stafit të Televizionit Kombëtar Klan.

Finalja e Maratonës do të transmetohet në valë satelitore për të gjithë shqiptarët në mbarë botën si dhe do të shfaqet në Kosovë nga Tv Koha etj./tvklan.al