Athina sqaron deklaratën e NATO-s

Mes Greqisë dhe Turqisë nuk ka një marrëveshje për uljen në bisedime me ndërmjetësimin e NATO-s për çtensionimin e situatës në Mesdheun Lindor, siç njoftoi të enjten kreu i aleancës, Jens Stoltenberg.

Këtë të premte zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, sqaroi se Athina dhe Ankaraja po zhvillojnë bisedime në selinë e NATO-s vetëm për çështje teknike që shmangin përplasjet. Por palët, sipas tij, janë shumë larg një marrëveshjeje.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se dialog do të ketë vetëm kur Turqia t’i japë fund provokimeve dhe kur ky vend të ndalë kërkimet për gaz në ujërat e Mesdheut Lindor. Mitsotakis theksoi se zonat ekskluzive ekonomike përcaktohen në bazë të parimeve ndërkombëtare.

Ndërsa Ankaraja e mbështet idenë e një dialogu të ndërmjetësuar nga NATO. Qëndrimin, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ia shprehu edhe Kancelares gjermane Angela Merkel gjatë një video-konference. Erdogan ia shprehu në sy kritikën Merkelit, për renditjen e hapur të Gjermanisë në krah të Greqisë.

Kreu i shtetit turk ka kritikuar edhe më herët qëndrimin e Brukselit në krah të Athinës për zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor. Ai ka akuzuar edhe Presidentin francez Emanuel Macron i cili ka pranuar të mbështesë ushtarakisht Greqinë, si të paaftë e ambicioz.

Tv Klan