Ish-presidenti i Finlandës, ndërmjetësuesi kryesor në negociatat shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, u nderua me çmimin Nobel për paqen.

Ish-presidenti finlandez, një burrë i madh shteti, Marti Ahtisari, dha një kontribut vendimtar për ndërprerjen e luftës së Kosovës.

71-vjeçari, i cili ka ndërmjetësuar edhe zgjidhjen paqësore të krizës në Indonezi, në fund të negociatave shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës hartoi një plan, i cili parashikonte pavarësinë e mbikëqyrur të saj.

Mbi bazat e këtij plani më 17 Shkurt Prishtina zyrtare shpalli pavarësinë.

Hashim Thaçi: “Nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.”

Diplomati i shquar u ftua në Nëntor të vitit 2004 dhe në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, ku shprehu besimin për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës dhe për integrimin evropian të të gjithë rajonit.

Lajmi nuk është pritur mirë në Beograd kur sipas Serbisë ai ka mundësuar ndarjen e territorit serb duke rrezikuar paqen në rajon.

Serbia e ka konsideruar këtë si një hakmarrje nga ana e Shteteve të Bashkuara. Pjesa tjetër e botës e ka përshëndetur lajmin.

Edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, përshëndeti laurimin e Marti Ahtisarit duke vlerësuar mençurinë, vendosmërinë dhe largpamësinë e këtij njeriu, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë është tepër i madh dhe i rëndësishëm./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle