Ka ndërruar jetë 35-vjeçari që pësoi djegie të rënda gjatë zjarrit që ra të premten në një pikë karburanti. Evis Prendi nuk mundi të mbijetonte për shkak të shkallës së lartë të djegies.

Zjarri ka nisur gjatë shkarkimit të një autoboti me naftë në pikën e karburantit të kompanisë Gega Oil në autostradën Durrës-Tiranë.

Flakët janë përhapur fillimisht në mjet dhe më pas në një objekt që shërbente për shkarkimin e karburantit. Nga flakët ka mbetur i dëmtuar edhe një punonjës tjetër i cili është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Zjarri ka qenë shumë i rrezikshëm por fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse ka shmangur përfshirjen nga flakët të cisternave me karburant. Zjarri nuk ka përfshirë depozitat e karburantit, pasi është vënë shpejt në kontroll.

Nga hetimet e para ka rezultuar se shkak për shpërthimin e flakëve mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike në sistemin e autobotit. Gjithsesi hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vijuar nga autoritetet.

Klan News