Lin Yu-ting, një nga dy boksieret në qendër të polemikave në Lojërat Olimpike Paris 2024, nuk e pati të vështirë që të mposhte kundërshtaren Julia Szeremeta dhe të fitonte medaljen e artë në peshën pupël.

Lin dhe algjeriania Imane Khelif, që fitoi të artën në peshën e lehtë ishin kryefjalë e shumë diskutimeve përgjatë Paris 2024 për shkak të polemikave për gjininë e tyre

28-vjeçarja Lin u bë fituesja e parë nga Tajvani e medaljes se arte në boks, ndërsa tre boskierë të tjerë kishin fituar medalje të bronzta, dy prej të cilave erdhën në Lojërat Olimpike të Parisit.

Medalistja tajvaneze tregoi emocionet për suksesin e arritur.

“Ky sukses nuk është i lehtë për t’u arritur dhe realisht ka pak njerëz në botë që e arrijnë të tillë nivel. Ndihem e nderuar dhe e lumtur që e arrita këtë objektiv. Falënderoj trajnerin, miqtë dhe familjen që nuk më braktisi në momentet e mia më të këqija e çdokënd që besonte te mua. Falë tyre unë e fitova këtë medalje të artë në olimpiadë”, tha ajo.

Suksesi i boksieres së polemikave u festua nga fansat tajvanezë, të cilët u gëzuan medaljes së artë.

Tv Klan