Tirana është qyteti me ajrin më të ndotur të Evropës. Niveli i ndotjes është 10 (dhjetë) herë më i lartë se ai i lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ekspertët kanë deklaruar se çdo person thith afro 49 kg (dyzet e nëntë kilogram) pluhur në vit. Këto statistika i publikon gazeta britanike “The Guardian”. Studiues shqiptarë kanë thënë për “The Guardian” se sipas përllogaritjeve shkalla e vdekshmërisë për shkak të ndotjes mund të jetë rritur me afro 20% (njëzet përqind) gjatë 14 (katërmbëdhjetë) viteve të fundit. Në rastin e Shqipërisë, sipas gazetës britanike, problemi është politik. Përdorimi i automjeteve është një anarki e vërtetë ku rregullat në lidhje me importin e makinave shmangen nëpërmjet rryshfeteve duke lejuar hyrjen në vendin tonë të makinave të ndaluara në Bashkimin Evropian për shkak të ndotjes. Kështu në Tiranë qarkullojnë afro 300 000 (treqind mijë) automjete, 90% (nëntëdhjetë përqind) e së cilave janë më shumë se 9 (nëntë) vjeçare. Këto automjetë nxjerrin afro 10 (dhjetë) herë më shumë tym sesa modelet e reja të cilat përbëjnë vetëm 2 % (dy përqind) të makinave që qarkullojnë në kryeqytet. Karburanti që shitet në vend është gjithashtu i ndotur nga squfuri dhe i ndaluar të përdoret në vendet e Evropës. Elbasani, sipas “The Guardian”, është qyteti që mban rekorde evropiane për ndotjen e Tokës. Testet tregojnë se toka është e ndotur me kobalt dhe nikel deri në 32 cm (tridhjet e dy centimetra) thellësi. Në Elbasan gjatë 2002 (vitit dy mijë e dy), sipas statistikave, 87 (tetëdhjetë e shtatë) persona vdiqën nga sëmundje të frymëmarrjes, 21 (njëzet e një) prej të cilëve fëmijë nën moshën një vjeç. Ndërsa në Tiranë vdiqën për të njëjtat arsye afro 157 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë) persona. /tvklan.al