“Ndihmë kërkojmë nga shteti, të ketë interes shteti me Malin e Zi. Mos janë kapu në Mal të zi, mos janë në burg në Mal të Zi, mos i k kapur policia e s’i tregon. Se ka ndodhur që i mbajnë nga dy muaj e s’merr asnjë të dhënë. Se mundësia që të jenë mbytur pothuajse nuk ekziston, se gomonja nuk mbytet”.

Policia e Shkodrës konfirmoi se asnjë nga skafistët e humbur, Romeo Beluli dhe Martin Islami nuk ndodhen në burgjet malazeze. Ata dyshohet të jenë nisur me rrugë detare nga ky shtet pasi kanë blerë mjetin lundrues drejt Italisë, por policia ende nuk ka arritur të vërtetojë nëse skafi i gjetur pak ditë më parë në brigjet italiane i përket këtyre personave.

Sipas drejtuesve të policisë së Shkodrës dy skafistët kanë mbërritur në Mal të Zi në rrugë tokësore për të blerë mjetin lundrues të cilin do ta përdorin për trafikimin e klandestinëve. Për zbardhjen e kësaj ngjarje po mbahet i ndaluar për një afat 15 ditor në policinë e Shkodrës Nikolin Pregna.

Ai ka pohuar se dy skafistët vlonjat kanë lënë mjetin lundrues dhe se i kanë dhënë atyre një pasaporte. I ndaluari priste që skafistët ti sillnin pasaportën e një vizë belge të blerë në Tiranë.

Nga Ministria e Rendit Publik deklarohet se informacionet që disponon deri më tani janë se një mjet lundrues është parë të kalojë në ujërat e malit të zi drejt Italisë. Familjarët e Romeo Belulit, kanë bërë të ditur përmasat e gomones që ka përdorur i afërmi i tyre, ajo është e markës Solis 7 metra e 60 e gjatë me dy motorë të bardhë nga 175 kuaj fuqi secili të markës Johnson, me një urë inoksi me tuba, por policia shqiptare ende nuk ka siguruar të dhënat që disponon ajo italiane për mjetin e gjetur atje, në mënyrë që të verifikohet ngjashmëria me gomonen e humbur.

Zyrtarët e ministrisë janë mjaftuar duke thënë se hetimet po vazhdojnë. Lidhur me këtë ngjarje një grup përfaqësuesish të OSBE-së kanë takuar drejtorin e policisë së Shkodrës. Romeo Beluli punonte prej disa vitesh si skafist. Ai është nisur për në Mal të Zi bashkë me Martin Islamin në datën 16 Mars dhe ka humbur lidhjet me familjet në datën 19.

Familjarët e të humburve kanë bërë kallëzimin në prokurorinë e Vlorës, por deri më sot nuk është arritur të zbulohet se çfarë ka ndodhur me skafistët vlonjat./tvklan.al