Lëvizja “MJAFT!”, ekipi kombëtar i futbollit dhe Banka Credins kanë hapur një llogari bankare në ndihmë të familjes së të ndjerit Gramoz Palushi, i vrarë nga dhuna e ushtruar nga një qytetar grek ndërsa festonte fitoren e Shqipërisë në ndeshjen me Greqinë. Të parët që kanë kontribuuar qenë djemtë e kombëtares me shumën prej 10 mijë dollarësh. Llogaria me emrin “Kuq e Zi” me numër 6330 do të jetë e hapur që nga dita e martë për të pritur edhe kontributin e qytetarëve.

Në orët e pasdites edhe Këshilli Rinor Shqiptar shprehu qëndrimin e ashpër ndaj akteve të dhunës kundër shqiptarëve në Greqi. Ata kanë mbështetur idenë që 4 shtatori të shpallet si dita e sportdashësit kuq e zi si dhe kanë bërë thirrje që pas dy ditësh Shqipëria të protestojë paqësisht ndaj aktit të shëmtuar në Greqi.

“ Ne ftojmë ditën e enjte në orën 19:00 këtu në sheshin “Nënë Tereza” qytetarët shqiptarë të bashkohen në një manifestim paqësor për t’u sinkronizuar me protestën paqësore që mbahet në të njëjtën orë në shëshin “Omonia” në Athinë. Nga forumi i emigrantëve shqiptarë manifestimi do të jetë nën logon “të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabartë”. /tvklan.al