Shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve. Revista e njohur “NewSicily” thotë se vendi ynë është plot surpriza ndërsa ka përzgjedhur edhe plazhet më të bukura të vendit tonë.

Ksamili, i njohur si një nga perlat e Shqipërisë, ofron plazhe ëndrrash me rërë shumë të imët. I vendosur pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, ky destinacion tërheq turistët për ujërat e tij të cekëta kristal dhe mundësinë për të eksploruar ishujt e vegjël. Me çmime të arsyeshme për shezllone dhe në akomodim, Ksamili cilësohet një parajsë për familjet.

Afër Ksamilit ndodhet edhe Plazhi i Pasqyrave i cili është pak i vështirë për t’u aksesuar, por sakrificat e vogla do të shpërblehen me një pamje fantastike që ofron ky plazh. Një tjetër plazh i bukur është ai i Lukovës i cili mahnit vizitorët me kontrastin mes gjelbërimit të maleve përreth dhe kaltërsisë së detit. Konsiderohet një destinacion i përsosur si për ata që kërkojnë qetësi ashtu edhe për të rinjtë që arratisen nga jeta e natës në qytet.

Në ndryshim nga qetësia që ofron ky plazh ai i Dhërmiut dallohet për jetën e natës dhe gjallërisë që ka kjo pikë turistike për shkak edhe të të rinjve që e preferojnë shumë atë. Vijon me Plazhin e Ujit të Ftohtë në vendin tonë që shquhet për peizazhin unik. Plazhi i Himarës, Gjiri i Gramës dhe ai i Porto Palermos janë plazhe të tjera të rëndësishme që ja vlen të vizitohen.

Klan News