3 të plagosur me armë zjarri është bilanci i një feste që mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda në Tiranë. Të plagosurit janë një vajzë e dy djem, të moshës 36 dhe 34 vjeç. Gjithçka ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të kësaj të marte. Të rinjtë bashkë me miq e familjarë po festonin në një lokal të rruga e Kavajës, kur shpërthyen të shtënat.

“Rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri. Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.

Armën të cilën e mbante pa leje e kishte një 32-vjeçar, i cili dyshohet se e ka shkrepur atë aksidentalisht. Të plagosurit mësohet se u paraqitën në një spital privat për ndihmë mjekësore. Ata janë të gjithë jashtë rezikut për jetën. Sa i takon autorit të dyshuar të ngjarjes, ai është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa hetuesit pritet që të zbardhin të gjithë dinamikën e kësaj plagosjeje të trefishtë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm. Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes  së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E”, shton policia./tvklan.al