Ambasada Zvicerine, përfaqësia e OSBE-së dhe Ambasada Britanike në Tiranë, protestojnë ndaj një ndërtimi të paligjshëm që sapo ka nisur fare pranë residencave të tjera. Sipas protestës së dy rezidencave të rëndësishme në Shqipëri, me ndërtimin e këtij pallati, shkelet dhe konventa e Vienës për marrëdhënie diplomatike e cila parashikomn që autoritetet shtetërore janë të detyruara të sigurojnë të gjithë kushtet e nevojshme dhe të përshtatshme për funksionim të qetë të residencave diplomatike.

Kjo është një kronikë e transmetuar rreth një vit më parë. Pas këtij sensibilizimi, Policia Ndërtimore pezulloi punimet dhe më pas çeshtja kaloi në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë. Vetë Kryeministri Meta dhe KRRTSH ngarkuan Bashkinë e Tiranës të ristudiojë zonën duke respektuar të gjitha kondicionet e përcaktuara në rregulloren e urbanistikës. Por, pas një vit ndërprerje, firma Tekno Projekt ka rifilluar punimet për të ndërtuar një pallat 16 katësh në kundërshtim me të gjitha rregullat e urbanistikës.

Objekti duhej të ndërtohej 32 metra larg ndërtesës 16 katëshe të Qendrës së Biznesit dhe të paktën 10 metra larg rezidencës zviceriane. Faktikisht edhe siç shihet nuk respektohet asnjë largësi. Përveç kësaj urbanistët kanë thënë se është krejtësisht e pamundur të ndërtohen dy objekte shumëkatëshe kaq pranë në këtë zonë ku ka dhera të paqëndrueshme. Pavarësisht nga të gjitha këto, ndërtesa 16 katëshe ka nisur të ndërtohet me vrull pas një vendimi formal të Gjykatës së Apelit kundër Policisë Ndërtimore.

Madje, mbarëvajtjen e punimeve që dje e ndihmoi dhe Policia Rrugore. Ministria e Punëve Publike dhe ministri Poçi që duhej të reagonte menjëherë për fillimin e punimeve kanë bërë “një sy qorr dhe një vesh shurdh”. Në këto kushte Ambasada Zviceriane, OSBE dhe firma “Leani shpk”, kanë nisur përsëri protestat./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego