Bizneset shqiptare që kërkojnë të punësojnë staf të huaj,tashmë kanë mundësinë që aplikimin ta bëjnë online në platformën e-Albania.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit bën të ditur se aplikimin për marrjen e një konfirmimi nga strukturat përgjegjëse shqiptare lidhur me besueshmërinë e biznesit dhe për verifikimin nëse ka ose jo precedentë që bien ndesh me ligjin, subjektet tregtare e kryejnë nëpërmjet shërbimit elektronik: “Vlerësim Paraprak për aplikim për Leje Unike”.

Vetëm pasi merret vlerësimi pozitiv paraprak, brenda afatit kohor 10 deri 15 ditë pune, bizneset mund të aplikojnë për procedurën e dytë të rëndësishme, nëpërmjet të cilës mund të finalizohet kërkesa e tyre për punësimin e shtetasve jo shqiptarë.

“Aplikim nga punëdhënësi për leje unike për të huajt” i ndihmon bizneset të depozitojnë kërkesën për lejen unike nëpërmjet një formulari të detajuar, ku u duhet të japin informacion të saktë për shtetasin që kërkojnë të punësojnë, si dhe të ngarkojnë dokumente specifike, foto,  fotokopjen e dokumentit të vlefshëm të udhëtimit, ftesën e nënshkruar nga personi fizik ose juridik.

Brenda 8 ditësh, duke marrë miratim për punësimin dhe vizën e tipit D, shtetasit të huaj i krijohet mundësia të hyjë në territorin shqiptar dhe të nisë aktivitetin e tij si punëmarrës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, shtetasit e pajisur me leje pune në total arritën në 9,825, me një rritje prej 18.3% në raport me vitin 2022.

Numri më i madh i punonjësve të huaj është sektori i Akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 1094 miratime punësimi; i dyti është sektori i ndërtimit me 999, më pas janë aktivitete të tjera shërbimi ku janë të punësuar 985  punonjës të huaj dhe më pas sektori industri, të tjera përpunuese, me 788 leje punësimi për të huajit.

Shumica e të huajve që punojnë në Shqipëri janë nga Turqia, Bangladeshi, Nepali, India dhe Italia.

Klan News